Post Covid, te “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 20 pacientë, shumica në gjendje kritike për jetën

Personat që e kanë kaluar Covid-19 me simptoma të rënda, janë të rrezikuar të vuajnë nga pasoja afatgjata që shkakton infeksioni.

Mjeku pneumolog, Arben Tanka, thotë se këta pacientë shpesh vuajnë nga fibroza pulmonare e të tjerë mund të shfaqin probleme kardiake.

"Kujdesemi edhe për komplikacionet e mundshme që sjell një Covid i gjatë, kryesisht janë trompozat pulmonare, probleme të sindromave koronare akute, probleme të zemrës, mund të ndodhë dhe ndonjë aksident kardiovaskular."

Në pavionin e kushtuar trajtimit të personave me post-Covid në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” aktualisht ndodhen të shtruar 20 pacientë.

Pjesa më e madhe e tyre në gjendje kritike për jetën.

"Dëmtimi kryesor i tyre është ai i mushkërive. Ka nevojë të detyrueshme për oksigjeno-terapi nga 10 në 20 litra."

Ata që shfaqin kompilacione më të rënda janë të pavaksinuarit.

"Kryesisht kanë qenë të hospitalizuar. Një pakicë janë trajtuar në shtëpi. Gjendja ka qenë e rëndë dhe pjesa më e madhe kanë qenë të pavaksinuar."

Nuk mungojnë edhe rastet kur shtrimet në spital janë si pasojë e mjekimit të gabuar.

Ekspertët e shëndetit bëjnë thirrje që qytetarët të mos bëhen mjekë të vetes e të përdorin medikamente pa u konsultuar me mjekët.