Historike/ Për herë të parë në botë, transplantuan një zemër derri në trupin e njeriut

Një amerikan 57-vjeçar, është bërë personi i parë në botë që transplantohet  zemra e një derri të modifikuar gjenetikisht.

Gjendja e pacientit është e mirë tre ditë pas operacionit eksperimental shtatë-orësh, të kryer nga mjekët e Qendrës Mjekësore të Universitetit të Maryland në Baltimore, shkruan BBC.

Transplanti me zemrën  derrit ishte shpresa e fundit për të shpëtuar jetën e burrit, megjithëse nuk është ende e qartë se  sa janë shanset e tij afatgjate për të mbijetuar.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë autorizim të veçantë për transplantin novator me arsyetimin se përndryshe pacienti do të kishte vdekur.

Historike/ Për herë të parë në botë, transplantuan
Kirurgu Bartley P. Griffith me David Bennett në fillim të këtij muaji

Mjekët e udhëhequr nga profesori Bartley Griffith i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland, shpresojnë të hapin rrugën për një lloj të ri transplanti që do të shpëtojë jetën e shumë njerëzve në mbarë botën për shkak të mungesës së organeve adekuate njerëzore për transplantim.

Shumë njerëz në listat e pritjes së transplantit vdesin çdo vit përpara se të marrin organin vital që u nevojitet.

Transplant i marrë nga një kafshë (ksenotransplant) është  testuar për herë të parë në vitet 1980. Ndërkohë dekadat e fundit valvulat e zemrës së derrit janë përdorur për transplant.

Tetorin e kaluar, në Nju Jork u zhvillua transplanti i parë i suksesshëm i veshkës së derrit në një burrë të vdekur në tru dhe pa asnjë shpresë për shërim.

Në rastin e Benetit, i cili vuante nga sëmundje të rënda të zemrës, ka shpresa që ai të fitojë disa vite jetë, diçka që duhet vërtetuar.

Derri nga i cili është marrë zemra ishte modifikuar gjenetikisht nga kompania amerikane e bioteknologjisë Revivicor (një degë e United Therapeutics) për të çaktivizuar disa nga gjenet e tij.

Mjekët thonë se është shumë herët për të thënë me siguri se transplanti ishte i suksesshëm dhe se zemra e kafshës do të funksionojë  në trupin e njeriut pa asnjë problem. Ditët dhe javët në vijim konsiderohen kritike.