Roma me në krye kryeprokurorin e çështjes “Taçi”: Një emër i rëndësishëm i anti-mafias italiane

Prokurori i Antimafias së Palermos, Francesco Lo Voi, i cili pak javë më parë drejtoi operacionin e arrestimit të dy personave e sekuestrimin penal të 20 milionë eurove depozituar në Shqipëri e të lidhura me mafian siciliane Cosa Nostra, është emëruar Kryeprokuror i Romës.

Këshilli Superior i Magjistraturës italiane me 19 vota pro e 2 kundër e tre abstenime ka zgjedhur prokurorin Francesco Lo Voi në krye të Prokurorisë së kryeqytetit italian.

Kryeprokurori 64-vjecar, Francesco Lo Voi për 7 vite e gjysmë , (prej vitit 2014) ka drejtuar prokurorinë e Palermos, ka qenë dhe anëtar i Eurojust e këshilltar i Këshillit të Lartë të magjistraturës.

Eksperienca e aftësia e tij profesionale mendohet se do të jenë veçanërisht të vlefshme për një territor të rëndësishëm si Roma.

Në krye të Prokurorisë së Palermos, Francesco Lo Voi urdhëroi sekuestrimin e 20 milionë eurove të depozituar në një bankë greke në Tiranë, për llogari të sipërmarrësit Francesco Zummo e të lidhura me mafian siciliane Cosa Nostra.

Hetimet e këtij operacioni, të cilat çuan në arrestimin e disa personave në Shqipëri e vënien nën kërkim të petrolierit Rezart Taci, u koordinuan në bashkëpunim me Prokurorinë e Napolit e nën drejtimin e prokurorit Giovanni Melillo.

Hetimet e këtij skandali nisën në qershor të vitit 2020, nga Prokuroria e Napolit, pas kapjes në portin e Salernos të rreth 17 tonë drogë prej të cilave 2884 kg e mbi 14 mijë kilogramë kaptagonë (njohur si droga e ISIS).

Faza investigative e këtij operacioni identifikoi aktivitetin kriminal të një grupi të strukturuar me bazë në Shqipëri, Itali e Zvicër me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të kokainës e hashashit nga Amerika e Jugut e Afrika e Veriut e pastrimin e riciklimit e parave të fitura nga biznesi i drogës.

Sic informon dokumentacioni që RTV Ora ka në zotërim, hetimet e operacionit antidrogë të Napolit janë kryer në bvashkëpunim me autoritetet zvicerane, me Ministrinë e Brendshme e Policinë Gjyqësore Federale të krimit ekonomik e financiar të Luganos.

Bashkëpunimi mes Prokurorisë së Palermos e Napolit ka çuar në finalizmin e arrestimit të 2 shtetasve italianë, Fabio Petruzella e Francesco Zummo nën akuzën të trafikut të paligjshëm ilegal të 20 milionë eurove të depozituara në Shqipëri e rindërtimin e fakteve të rënda e të shumëfishta në lidhje objektive e subjektive me njëri-tjetrin që çuan në drejtimin sinergjik të operacioneve brenda e jashtë territorit italian e që u bë më dobiprurëse nga bashkëpunimi me autoritetet shqiptare e zvicerane.

Emërimi i kryeprokurorit të ri të Romës është përshëndetur dhe nga kryebashkiaku kryeqytetas Roberto Gualtieri.

"Punë të mbarë Francesco Lo Voi, magjistrat me një eksperiencë të madhe, ka shkruar ai në një tweet.