OBSH: Deri tani asnjë vdekje nga Omicron

Pavarësisht se shumë shtete kanë shpallur masa të reja kufizuese pas shfaqjes së variantit të ri të Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se deri më 3 dhjetor nuk është raportuar për ndonjë vdekje tek pacientët e prekur nga Omicron, edhe pse rreth 40 vende kanë konfirmuar prezencën e tij.

Organizata tha se ende duhet kohë për të kuptuar sesa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rëndë dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.

Të dhënat e para tregojnë se varianti i r ii virusit është jashtëzakonisht infektues pasi është përhapur shpejt pasi ishte identifikuar në nëntor në Afrikën e Jugut. Mjekët besojnë se Omicroni mund të shkaktojë simptoma më të buta sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta që është dominues në mbarë botën.

Megjithatë, të dhënat spitalore tregojnë se një numër i personave që janë infektuar me variantin Omicron, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Radio Evropa e Lirë citon se varianti i ri po përhapet në kohën kur spitalet në disa shtete veçse janë të ngarkuara me pacientë të infektuar me variantin Delta.

Në Evropë, vala e re e shkaktuar nga Delta ka detyruar qeveritë që të rivendosin masat, siç janë mbajtja e detyrueshme e maskës, distanca sociale, izolime dhe përshpejtim të vaksinimit.

Agjencia për shëndetësi e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se Omicroni mund të jetë shkaktar i gjysmës së rasteve me COVID-19 në Evropë në muajt e ardhshëm.

Si një shenjë e mundshme e natyrës më infektuese të Omicronit mund të jetë edhe rritja e rasteve në Afrikën e Jugut. Në këtë shtet, brenda një dite në nëntor shënoheshin rreth 200 raste, ndërkaq më 3 dhjetor janë regjistruar mbi 16,000 infektime të reja me koronavirus.

Një studim i kryer në Afrikën e Jugut ka treguar se Omicroni ka mundësi të shkaktojë tri herë më shumë riinfektime krahasuar me variantin Delta.