Bashkim Jashari emërohet komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka emëruar Bashkim Jasharin në krye të Forcës së Sigurisq së Kosovës.

Nëpërmjet një njoftimi për mediet, Zyra e Presidencës tha sot, 39 nëntor, se emërimi i tij është bërë pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Jashari i përket familjes legjendare Jashari, është djali i Rifat Jasharit.

Paraprakisht, Osmani ka liruar nga detyra komandantin e deritashëm, Rrahman Rama, i cili është thënë të ketë dhënë dorëheqje nga ajo pozitë.

Pas emërimit, në Ministrinë e Mbrojtjes është kryer procedura e pranim-dorëzimit të detyrës. Më herët, Bashkim Jashari ka qenë shef i Inspektoratit të FSK-së, shkruan REL.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësi të Kosovës. Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për të ndryshuar mandatin e FSK-së.

Përgjegjësitë e reja kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.