S'ka negociata para fundvitit/ Presidenti bullgar thotë se do ta mbajë veton për Maqedoninë e veriut
Presidenti i rizgjedhur bullgar Rumen Radev ka thënë se qeveria e re bullgare nuk do të bëjë asnjë lëshim kur bëhet fjalë për identitetin bullgar, historinë dhe të drejtat e bashkatdhetarëve në anën tjetër të kufirit, në Maqedoninë e Veriut.
Pas rizgjedhjes së tij ai ka pasur një telefonatë me kryeministrin Zoran Zaev, ku u dakordësuan se do të vazhdojnë dialogun mes dy vendeve për gjetjen e një zgjidhjeje për ardhmërinë e përbashkët evropiane.
Roli i presidentit bullgar është honorifik, por ka qenë më herët pretendenti për ministër i Jashtëm bullgar në qeverinë e re, Daniel Laurer, që e ka quajtur jorealist fundin e këtij viti për zgjidhjen e problemeve dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Laurer tha për mediet vendase se 14 dhjetori, kur do të mbahet samiti i fundvitit, është një afat jorealist dhe i shkurtër për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, përveç europianëve që janë mobilizuar për zgjidhjen e kësaj problematike, që bllokon negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, janë përfshirë edhe amerikënët.
Bullgaria duhet të arrijë një “zgjidhje përfundimtare” të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ajo, së bashku me Shqipërinë, të fillojë bisedimet e anëtarësimit në BE “para fundit të vitit”.
Kështu thuhet në letrën e dërguar nga dy anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit amerikan. Claudia Teni nga republikanët dhe William Keating nga demokratët i drejtuan një letër ambasadorit të Sofjes në Uashington Tihomir Stoychev.
Letra e shkurtër nuk jep detaje se si mund të ndodhë kjo, por tregon linjën zyrtare amerikane dhe evropiane në mbështetje të zgjidhjes së shpejtë të mosmarrëveshjes.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë problem historike dhe gjuhësore, teksa kjo marrëdhënie mes tyre kushtëzon edhe negociatat e vendit tonë me BE-në.

