Bon Jovi “braktis” skenën, 59-vjeçari rezultoi pozitiv me covid, banda interpretoi pa rokerin

Jon Bon Jovi rezultoi pozitiv me Covid-19 pak para se të niste koncerti i planifikuar në Miami Beach në SHBA. Një zëdhënës doli në skenë për t'i njoftuar publikut lajmin, teksa të gjithë prisnin që grupi të performonte në “Loews South Beach”.

59-vjeçari dhe shokët e tij të grupit bënë teste të shpejta pak para koncertit dhe Bon Jovi rezultoi pozitiv. Mësohet se ai ishte i vaksinuar me të dyja dozat.

Zëdhënësi tha se ylli i muzikës rock “ndihet mirë”, por se nuk do të luante në skenë dhe se ishte nisur për t’u çlodhur. Mësohet se grupi i tij ndërkohë qëndroi dhe vazhdoi interpretimin për fansat e mbledhur, edhe pse pa këngëtarin kryesor.

Nuk dihet ende nëse koncerti i plotë do të mbahet sërish në një datë tjetër. Këngëtari gjithashtu ishte planifikuar të merrte pjesë në një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh, si dhe një sesion fotosh me fansat.

Ndërkohë, atyre që kanë blerë biletat iu kërkua të tregonin prova të vaksinimit ose rezultate negative të testit për të marrë pjesë në koncert, pika kryesore e një pakete hoteli tre-ditore që kushton deri në mijëra dollarë për person.

Vitin e kaluar, Bon Jovi u bë pjesë në fushatat e shërbimit publik duke inkurajuar njerëzit të mbajnë maska dhe të praktikonin distancimin social.