Biden arrin në Evropë me agjendë të ngjeshur

Presidenti amerikan, Joe Biden ka arritur sot (29 tetor 2021) në Evropë, për të zhvilluar një agjendë të ngjeshur, përfshirë pjesëmarrjen në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20), që këtë vit mbahet në Romë.

Ai do të bisedojë me aleatët për programin bërthamor të Iranit dhe do të zhvillojë një sesion të planifikuar me Papa Françeskun në Vatikan.

Biden do të marrë pjesë edhe në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, në Glasgou të Skocisë, teksa bota tenton të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.

Takimi i parë në agjendë është me Papa Françeskun në Vatikan, më 29 tetor.

Biden është katoliku i dytë që është bërë president amerikan, pas John F. Kennedy në periudhën 1961-63.

Në samitin e G20-ës, Biden pritet të diskutojë ndaras edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se takimi do të tentojë të ulë tensionet pas arritjes së marrëveshjes për siguri në mes të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, që ka ndikuar në humbjen e një pakti që ka pasur Franca për nëndetëse ujore, raporton Rel/