"Suksese!" Rama dhe Nikolla urojnë vitin e ri shkollor
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar sot fillimin e vitit të ri shkollor.
Zonja Nikolla ka uruar të gjithë fëmijët anë e mbanë Shqipërisë dhe është shprehur besimplotë në këtë vit të ri mësimor.
“Të dashur nxënëse e nxënës,
Të dashur mësuese e mësues,
Të dashur prindër,
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ju uroj të gjithë fëmijëve të Shqipërisë një vit të suksesshëm shkollor!
Të gjithë jemi me mendje e zemër tek ju dhe do të bëjmë më të mirën që edhe në sfidë me vështirësitë e pandemisë të merrni cilësinë e merituar të dijes në çdo klasë e shkollë të vendit.
Jam besimplotë që mësuesit do të jenë krah jush dhe prindërve tuaj me përpjekjen e çdo dite për t’u ngritur mbi vështirësitë e kohës.
Beteja për dijen është më e bukura e jetës.
Suksese dhe një vit të mbarë!“, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit.
Edhe kryeministri Rama e ka nisur ditën me një mesazh duke uruar përzemërsisht nxënësit që ulen sot në banka e shkollës.
"Mirëmëngjes, dhe me zileën e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen," shkruan Rama në Facebook./OraNews/
