“Shkollë nate” për ciklin fillor, prindërit ankohen për turnet: Të papërshtatshme për fëmijët

Rreth 480 mijë nxënës në të gjithë vendin kanë nisur këtë të hënë zyrtarisht mësimin, por megjithëse me një staf të vaksinuar ndaj covid-19 nuk mungojnë as turnet. Prindërit ankohen se oraret nuk janë përcaktuar drejt, duke në shkollë deri në orën 18 nxënësit e ciklit fillor.

Zyrtarisht ka nisur mësimi në të gjitha shkollat e vendit.

As këtë vit shkollor mësimi me turne nuk do të shmanget megjithëse rreth 85% e mësuesve janë vaksinuar.

Mësimi me turne është shqetësimi i shumë prindërve. Në shkollën “Mihal Grameno”, apo “Ali Demi”, në kryeqytet fëmijët e ciklit fillor do të zhvillojnë mësimin nga ora 14 deri në orën 18.

"Unë kam 2 fëmijë, janë  me turne dhe nuk jam fare dakord. Gjyshërit që i marrin janë nga 75 vjeç."

"Kjo është një nga zgjidhjet e mundshme, pastaj jam dakord apo s'jam dakord dihet që më e mira është normaliteti."

"Nuk është aspak e drejtë që fëmijët e klasave të para dhe të dyta të lihen në këtë orar."

Megjithëse shpërndarja e librave ka nisur prej fillimit të këtij muaji, disa nxënës ende nuk janë pajisur me të gjitha tekstet.

"Sot zhvilluam matematikë dhe italisht. Më mungon vetëm italishtja si libër dhe të gjitha i kam marrë."

Veç shqetësimeve, mes fëmijëve nuk munguan as emocionet e ditës së parë. Disa me lule në duar, e disa me lot në sy.

"Nga emocionet, në fakt është në klasë të dytë por mesa duket fillimi i vitit shkollor dhe janë të pranueshme."

Në hyrje masat anticovid u kërkuan te çdo nxënës..

Premtojnë se do të mësojnë shumë këtë vit.

"Shumë mirë, nuk kam emocione."

"Këto lulet po i sjell për zyshën time."

"Këto lule i kam sjellë për zyshën, unë jam nxënësi më i mirë i klasës."

Këtë të hënë e nisën mësimin rreth 480 mijë nxënës, nga të cilët 30 mijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

Megjithëse rreth 85% e stafeve në shkolla janë vaksinuar ndaj covid-19, mësimet me turne nuk u shmangën dot, ndërkohë Ministria e Arsimit, ende nuk jep një numër të saktë të shkollave që do të zhvillojnë mësimin me 2 apo 4 nën turne.

/OraNews/