Gjukanoviç jep alarmin në SHBA: Vuçiç po destabilizon Ballkanin, BE-ja t’i bëjë presion

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër me tone karshi atyre që po e kërcënojnë stabilitetin e rajonit, duke nënkuptuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. "BE-ja duhet t’i shikojë problemet dhe paralajmërimet e Ballkanit, që kanë ardhur nga adresa të ndryshme", tha presidenti i Malit të Zi.

Presidenti i Malit të Zi vlerësoi në Nju Jork se ka gjithnjë e më shumë probleme në Ballkanin Perëndimor, kështu që, siç tha ai, nuk duhet të theksohet në radhë të parë çështja e ritmit të zgjerimit të BE-së, por çështja e stabilitetit të rrezikuar në Ballkan.

“Kjo na çon në atë që kemi përsëritur në të gjitha vitet e mëparshme, veçanërisht nga Podgorica, dhe kjo është se duhet të tërhiqet një shenjë barazie midis stabilitetit të Ballkanit dhe integrimit”, u tha Gjukanoviç gazetarëve në fund të vizitës së tij në Nju Jork.

Sipas tij, BE -ja është lokomotiva e kontinentit evropian dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian, prandaj nuk mund të largohet nga ato probleme dhe t’i trajtojë ato si probleme ballkanike.

“BE -ja duhet t’i shikojë problemet dhe paralajmërimet e Ballkanit që vijnë çdo vit nga adresa të ndryshme, përfshirë adresën tonë malazeze. Nuk jam i kënaqur me intensitetin e vëmendjes së kushtuar atyre paralajmërimeve në vitet e kaluara, kështu që sot ne kemi një problem edhe më serioz”, tha Gjukanoviç.

Është e qartë, tha ai, se nuk ka mjaft mekanizma të besueshëm vetë-rregullues në Ballkan “që do ta forcojnë stabilitetin tonë pa të cilin nuk ka prosperitet”.

I pyetur nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor është lënë mënjanë, për t’u marrë vetë me sfidat, presidenti i Malit të Zi u përgjigj “se është shumë korrekte të thuhet se kemi humbur kohën më të mirë për integrimin evropian”.

Të mërkurën, presidenti i Malit të Zi, Mila Gjukanoviç e goditi indirekt presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se reflektime të forta të “trazirave politike globale” po ndihen në rajon dhe se këto shqetësime kanë çuar në rizgjimin, siç tha ai, të disa ideve politike prapambetëse. Në fillim të kësaj jave, po nga Nju Jorku, edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç e shigjetoi  kreun e Serbisë.

Ai theksoi se për Serbinë pengesa më e madhe në rrugën e anëtarësimit është presidenti Aleksandar Vuçiç, për të cilin tha se “është një nga nxitësit më të shquar të luftës në vitet ’90”.