Këshilli i Sigurisë së Kosovës koordinon veprimet strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë
Këshilli i Sigurisë së Kosovës diskutoi mbrëmjen e së shtunës (25 shtator) koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, thuhet në njoftimin për shtyp.
Këshilli i Sigurisë i Kosovës u kryesua nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet thanë se aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia, serbët kanë bllokuar dy rrugë pranë pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë. Për shkak të situatës së tensionuar, më 25 shtator, kryeministri Albin Kurti thirri një takim të Këshillit të Sigurisë.