"Serbia po sjell afër kufirit helikopterë dhe avionë luftarak", përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Kosovë (VIDEO)
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë ka përfunduar, por Qeveria e Kosovës nuk e bëri të ditur se kur filloi.
Kryeministri Albin Kurti pasditen e sotme njoftoi se do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë kryesohet nga kryeministri, ndërsa anëtarë të përhershëm janë zëvendëskryeministrat, ministri i Punëve të Brendshme, i Punëve të Jashtme, i Drejtësisë, Ekonomisë dhe Financave, si dhe ministri për Komunitete dhe Kthim.
Ky këshill ka edhe anëtarë të tjerë këshillëdhënës siç janë drejtori i Policisë së Kosovës, drejtori i AKI-së, zyrtarë të FSK-së, këshilltarë të lartë dhe të sigurisë të kryeministrit dhe presidentes, si dhe anëtarë të tjerë.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasditen e sotme Kurti tha Policia ka bërë një punë të shkëlqyer pasi të mos ishte për të do të ishin djegur edhe pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak.

“Serbia po sjell afër kufirit helikopterë dhe avionë luftarak rusë, Serbia po provon të nxis konflikt rajonal. Pengesat dhe bllokadat përfshirë veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta. Vendimi për targat nuk u drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës, ky vendim është masë e barabartë që shteti serb aplikon për qytetarët e Kosovës. I ftojmë qytetarët në veri pa dallime etnike të respektojnë ligjet dhe të mos ndikohen nga ata që nxisin dhunë. Mbi 9 mijë targa të përkohshme janë dhënë deri më tani, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi," tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
