Kamionët nisin të tërhiqen nga veriu por i kthen mbrapsh policia serbe, Kurti takon sot opozitën


Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës të dielën raportohet të jetë e qetë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë.

Por, në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Mediat e Kosovës raportuan paraditen e sotme se dy kamionë u tërhoqën nga barrikada në veri dhe u nisën drejt Serbisë, por njëri prej tyre u detyrua të kthehet pas nga policia serbe.

Tensionimi i situatës në veri të vendit, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për çështjen e targave, do të mbledhë sot në takim kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.

Takimi do të mbahet sot gjatë paradites në Zyrën e Kryeministrit, ku do të diskutohet për çështjen e sigurisë në vend, pas situatës së krijuar në veri.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dje i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të mbledhë spektrin politik në vend.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”,  apeloi Abdixhiku në Facebook.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.