Aksioni në veri, Haziri për "Ditë e Re": Kurti po e shfrytëzon për fushatë, s'mund të nxjerrësh Forcat Speciale për targa

Pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë vijojnë të jenë të bllokuara për të pestën ditë me radhë.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Gjilanit në një intervistë me skype për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora akuzon kryeministrin Kurti se aksionin në veri po e shfrytëzon për fushatë zgjedhore, pasi Kosova zgjedh drejtuesit lokalë në 17 tetor.

Për Hazirin, i cili kërkon edhe një mandat tjetër në krye të komunës së Gjilanit, veriu i Kosovës kërkon trajtim të veçantë dhe se zbatimi i reciprocitetit për targat duhet të ishte bërë përmes policisë rrugore dhe jo asaj speciale.

Haziri: Çështjet politike në Kosovë në prag të zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve gjithmonë duhet të pjellë situata që rëndojnë jetën tonë. Hyn në fuqi marrëveshja në Bruksel e 2016, është gjet shtatori i këtij viti me e zbatu. Është shumë fushatë.

Nuk është hera e parë. Më herët është implementu tarifa nga qeveria Thaçi dhe Haradinaj. Kosova është në një situatë ku kemi bërë një hap para dhe dy pas. Kjo është politika e Kurtit. Një hap para për reciprocitetin për targat dhe dy hapa pas për dialogun me Serbinë dhe gazsjellësin.

Situata e krijuar me Serbinë ka shkaktuar reaksion të një numri të vogël të serbëve të veriut. Nuk mund të dërgohet policia speciale për zbatimin e një vendimi që ka të bëjë me dy tabela veturash të cilat mund të ndërrohen  apo të largohen me një masë të vogël duke vendosur policët e trafikut në rrugë dhe jo njësitë speciale për të zbatuar këtë vendim.

Ambjenti në veri të Kosovës, territor i dominuar nga popullata pakicë serbe nuk lejon aksione politike pa kujdes, me një zhurmë të tillë.Duhet të vazhdojmë të dialogojmë. Duhet t'ia kishim bërë me dije popullatës së Kosovës dhe Serbisë që do të vendoset kjo datë, në këtë kohë, në këtë muaj masa që do të zbatohet. Aksionet e befasishme mund të kthehen në aksione të këqia për vendin dhe Republikën tonë.

Në këtë betëjë të Kosovës për tu trajtuar si e barabartë nga Serbia penalizohen edhe qytetarët e komunave shqiptare në Serbi.

Haziri: Janë 70 mijë qytetarë që duhet të paguajnë targën e përkohshme, vështirësohet jeta e tyre. Kanë nevojë ditore të komunikojnë me Prishtinën, treg kryesor kanë Gjilanin jo vetëm Presheva por edhe Kumanova në Maqedoninë e Veriut. Duhet të bëjmë kujdes, ata nuk dallohen nga popullata tjetër. Ata duhet të paguajnë 5 euro targën me hy në Kosovë dhe 5 euro autostradën me hy në Tiranë.

Duke analizuar raportet Prishtinë-Tiranë, Haziri thotë se ka një ftohje mes dy kryeministrave por nuk di shkaqet.

Haziri: Shihet një raport i ftohur politik mes kryeministrit të Kosovës dhe atij shqiptar Edi Rama. Mendoj se janë raporte personale. Nuk e di pse.Një raport të tillë të tensionuar Kurti e ka dhe me kryeministra të tjerë.

Sa i takon nismës "Open Balkan", Haziri thotë se nëse nuk merr formën e një forumi me 6 shtete nuk do të ketë asnjë kuptim.

Haziri: Për ironi iniciativa e minishengenit Ballkanik ka lindur në Kosovë nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu në 2007. Ka ardhur koha që pas 13 vitesh mos me e pranu si ide dhe mekanizëm për shkak të kufijve të Kosovës që nuk njihen nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Pa njohjen e kufijve politikë është e vështirë që Kosova të përfshihet në një mekanizëm rajonal ku nuk njihen kufijtë dhe ligjet e aplikueshmë për dokumente civile dhe qarkullim mallrash do të jenë të unifikuara.

Nëse arrihet të gjendet një formulë LDK mundet dhe ka ofruar formula të zgjidhet ky problem, Kosovës i pushojnë arsyet me i ik krijesës që quhet Jugosllavi e vogël këtu në Prishtinë.Frika nga krijesa të tilla e ka historinë në të kaluarën por jo në të ardhmen. Qarkullimi i lirë i njerëzve na konvenon shumë ne si popullatë sepse Bosnje Hercegovina nuk njeh dokumentet e Kosovës, kemi vështirësi me shtetin boshnjak për shkak të faktorit serb. Open Balkan ose do të bëhet forum me 6 shtete ose një organizatë pa kuptim.