Incidenti në kufi/ 'Inatoset' Vuçiç dhe drejtohet BE dhe NATO: Deri kur do të durojmë dhunën e Albin Kurtit?

Situata mes Kosovës dhe Serbisë, që prej hyrjes në fuqi të reciprocitetit të targave, vazhdon të mbetet e tensionuar.

Ndërkohë ditën e sotme, mediat serbe publikuan lajmin se 3 banorë serbë të zonës janë dhunuar nga policia e Kosovës, lajm i cili u përgënjeshtrua nga kjo e fundit.

Përgënjeshtrimi i lajmit nga policia e Kosovës, ka ‘revoltuar’ presidentin serb Aleksandër Vuçiç, i cili në mënyrë indirekte i është drejtuar NATO-s dhe BE-së që të ndërhyjë.

“Është çështje për NATO-n dhe për BE-në pse e lejojnë atë. Ne u treguam atyre qartë se cilët janë kufijtë dhe deri në çfarë mase do të durojmë dhunën e Albin Kurtit dhe forcave të tij. Këtë e dinë evropianët dhe amerikanët, ne e kemi thënë me shumë saktësi. Dhe e kemi thënë shumë saktësisht se cilat janë lëvizjet tona dhe në çfarë radhe po shkojnë”, u tha Vuçiç gazetarëve pas samitit demografik në Budapest.

Qeveria e Kosovës, ditën e hënë ka vendosur për aplikimin e masës së reciprocitetit për Serbinë, duke larguar targat e tyre dhe duke u pajisur me targa të përkohshme të Kosovës./ Ora News/