"Më vuri revolen në kokë, ka qenë kryesori", dëshmia në Hagë kundër Salih Mustafës
Dëshmitari i parë i thirrur nga prokurorët e specializuar kundër Salih Mustafës i ka mbështetur akuzat për krime lufte ndaj ish-komandantit të UÇK-së. Mustafa qëndron prej një viti në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykata Speciale e Kosovës dëgjoi të hënën dëshminë e parë me zë kundër ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, që akuzohet për krime lufte.
Identiteti i personit u mbajt i fshehtë për arsye sigurie, por dëshmia qe e qartë.
Dëshmitari tha se qe rrëmbyer e dërguar nga njësia speciale e UÇK-së në fshatin Zllashë të Prishtinës, ku Mustafa akuzohet se urdhëronte të tjerët të kryenin vrasje e tortura.
Personi vetë ishte ndaluar se besohej që bashkëpunonte me serbët.
“Nuk mundem me ditë si më kanë rrah se unë nja dy-tri herë kam qenë i alivanosur, më kanë sjellë më drunj, më kanë sjellë me shkelma, më kanë sjellë nuk e di me çka, gishtin e kam të thyem, dhëmbët i kam të thyem qaty, jam i lënduar, i bëmë operacion. Nuk i kam njohur se me thes ne krye kam qenë[...]Më kanë rrah sa më kanë rrah, më kanë gjuajt ujë dhe më në fund më kanë kap zhag më kanë ngreh më kanë çu brenda, më tani nuk kam ditë kurrgjë, veç kom ra qaty në ahur, deri nesër nuk e di nuk kam ditë kurrgjë, nesërmen kanë ardh tani në mëngjes.”
Dëshmitari rrëfeu se Mustafa kishte qenë i pranishëm teksa ushtarët e tij me uniforma të UÇK-së e torturonin, madje pranoi se ishte ai vetë që i kish drejtuar pistoletën në kokë, pa dashur ta vriste.
“Ky është njeriu që, i akuzuari është. Ky që është i akuzuar qitu. Në atë moment nuk ka pasur nofkë hiç, e di më herët, e ka pasur kapelën e kuqe. Nuk di kurrgjë, nuk kam parë, terr u kon, ky personi është e di. E di se ai u kanë kryesori atje[…]Pa thënë i akuzuari ata nuk kanë bërë kurrgjë, tjerët ushtarë, i akuzuari u kanë kryesori, dhe ai u kanë, unë nuk e kam pa se u kanë terr nuk e kam pa.”
"Kam pasur dëshirë që të më vrisnin. Në ato momente si kam qenë, kam pasur dëshirë që të më vrisnin.”
Krimi për të cilin akuzohet Mustafa daton në vitin 1999.
Viktimat pretendohet se ishin shtetas shqiptarë, serbë, romë e të tjerë që shiheshin si pengesa ose kundërshtarë politikë ndaj Ushtrisë Çlirimtare dhe disa udhëheqësve të saj.
Kryegjyqtarja e çështjes refuzoi të hënën që t'ia japë fjalën Mustafës.
Ish-komandanti 49-vjeçar i UÇK-së ndodhet i burgosur në Hagë prej një viti dhe është deklaruar i pafajshëm.

