Mbi 4 ton kokainë me vlerë 300 mln euro sekuestrohen në portin e Roterdamit

Policia holandeze sekuestroi më shumë se 4 ton kokainë së portin e Rotterdamit, dje 17 shtator.

Sasia e konfiskuar konsiderohet si një nga sasitë më të mëdha të gjetura ndonjëherë, sipas autoriteteve holandeze.

Sasia e drogës, vlera e shitjes e së cilës u vlerësua në 301 milion euro, u gjet në një ngarkesë me dru nga Suriname.

Mësohet se kontejnerët me kokainë në ngarkesën me dru ishin destinuar për një kompani në Poloni.

Droga u shkatërrua, thanë autoritetet vendase.

Megjithatë deri më tani nuk është njoftuar asnjë arrestim nga policia.

"Është me të vërtetë një nga më të mëdhatë”, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit për AFP.

4,022 kilogramë kokainë që u konfiskuan u asgjësuan, sqaroi zyra e prokurorit në një njoftim për shtyp.

Holanda është bërë një nga portat kryesore për drogën ,veçanërisht kokainën  në Evropë, kryesisht përmes Roterdamit, portit më të madh në Evropë.

Agjencia evropiane e policisë Europol tha në një raport në fillim të këtij muaji se Belgjika dhe Holanda janë portat kryesore për kokainën në tregjet evropiane.

Në shkurt, një operacion i përbashkët i autoriteteve të zbatimit të ligjit belg, holandez dhe gjerman lejoi që një sasi rekord prej 23 ton kokainë e destinuar për Holandën të kapet në Hamburg dhe Antwerp.