SHBA pranon se sulmi me dron në Kabul vrau civilë të pafajshëm, mes tyre edhe 7 fëmijë

SHBA ka pranuar se një sulm me dron në Kabul disa ditë para tërheqjes së saj ushtarake vrau 10 njerëz të pafajshëm.

Një hetim i Komandës Qendrore të SHBA zbuloi se një punonjës i ndihmës dhe nëntë anëtarë të familjes së tij, përfshirë shtatë fëmijë, vdiqën në 29 gush.

Fëmija më i vogël, Sumaya, ishte vetëm dy vjeç. Sulmi vdekjeprurës ndodhi disa ditë pas një sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit, në mes të një përpjekjeje të evakuimit pas kthimit të papritur të talibanëve në pushtet.

Ky ishte një nga aktet përfundimtare të ushtrisë amerikane në Afganistan, para përfundimit të operacionit të 20-vjeçar në vend.

Inteligjenca amerikane kishte gjurmuar makinën e punonjësit të ndihmës për tetë orë, duke besuar se ishte e lidhur me militantët e IS-K një degë lokale e grupit të Shtetit Islamik , tha gjenerali i Komandës Qendrore të SHBA Kenneth McKenzie.

Hetimi zbuloi se makina ishte parë në një kompleks të lidhur me IS-K dhe lëvizjet e tij ishin të lidhura me planet e grupit terrorist për një sulm në aeroportin e Kabulit.

Në një moment, një dron vëzhgues pikasi disa burra që ngarkonin atë që dukej si eksploziv në bagazhin e makinës, por doli se ishin kontejnerë me ujë.

Gjenerali McKenzie e përshkroi sulmin si një "gabim tragjik".

Të afërmit e viktimave i thanë BBC-së një ditë më pas se ata kishin kërkuar të evakuoheshin në SHBA dhe kishin pritur një telefonatë që do t'u thoshte të shkonin në aeroport.

Një nga të vrarët, Ahmad Naser, kishte qenë përkthyes me forcat amerikane. Viktima të tjera kishin punuar më parë për organizatat ndërkombëtare dhe kishin viza që u lejonin atyre hyrjen në SHBA.