Adhuruesit e video-lojërave në zi, ndahet nga jeta shkencëtari i programimeve Clive Sinclair
Clive Sinclair, një nga shkencëtarët më në zë të këtij shekulli është ndarë nga jeta në moshën 81 vjeçare.
Shpikësi dhe sipërmarrësi britanik u bë i famshëm në fillimet e viteve ’80 për shpikjen e kompjuterave të vegjël që mund t’i blinte çdo familje. Ai solli një epokë të re për vogëlushët e fillim-viteve ’80 dhe ’90, sepse shpiku lojërat e para me kompjuter.
I lindur në vitin 1940 në periferinë e Londrës, Richmond, Sinclair la shkollën në moshën 17 vjeçare për t’u bërë gazetar për zhvillimet teknologjike.
Që në krye të herës, miqtë dhe mësuesit e tij ishin të mahnitur nga gjenia e djaloshit. Në moshën 22 vjeçare, ai krijoi “Sinclair Radionics”, kompaninë e tij të parë, duke bërë sjellë për qytetarët radion e parë të dorës.
Më vonë do të sillte edhe makinën e parë llogaritëse të xhepit, për të shkuar te kompjuterat e shtëpisë.
Por nuk kishte veç suksese. Shumë investime të tij edhe dështuan. Dhe pikërisht ky aspekt tejet njerëzor, mes dështimeve të forta e sukseseve ndërkombëtare, ai u bë një nga figurat më të dashura për britanikët dhe të rinjtë që donin të ndiqnin udhën e zhvillimit të shkencës në mbarë botën.
Vetë Elon Musk e përkujtoi mësuesin, sepse me kompjuterin e tij të parë në vitin 1980, për konsum të gjerë, që kushtonte më pak se 100 paund Sinclair hapi një botë me mundësi të reja për shkencën, teknologjinë dhe kapitalizmin.
Spectrum u bë menjëherë kompjuteri më i shitur në Britani. Kjo jo vetëm që e ndihmoi Sinclairin të bëhej një multimilioner, por e bëri atë të famshëm në një kohë kur ekonomia britanike po kalonte një transformim rrënjësor nën kryeministren e atëhershme, Margaret Thatcher. Ai mori gjithashtu titullin kalorës nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 1983.
"Ai ishte gjithnjë në kërkim të sfidave dhe punoi deri në ditën e fundit të jetës. Bashkoi pasionin e tij për shkencën me imagjinatën e zhvilluar. Ishte pasionant dhe aventurier" - tha për BBC-në vajza e tij Belinda Sinclair.

