"Procesi i Berlinit shpikje", Robelli: Mesazhet e Merkel asnjë vlerë, çfarë më shqetëson te Rama

Shumë entuziast për nismën "Ballkani i hapur", presidenti i Serbisë Vuçiç do të deklaronte në një intervistë televizive se qesh me Ramën kur dëgjon komentet e kundërshtarëve.

Gazetari Enver Robelli në një lidhje me skype për "Ora e Betit" thotë se ky lloj komunikimi është një demaskim për shefin e qeverisë shqiptare.

Robelli: Presidenti i Serbisë ka zgjedhur një mënyrë komunikimi me opinionin publik për ta tallur kryeministrin e Shqipërisë. Ai ndihet aq komod për ta tallur hapur. Mënyra si presidenti i Serbisë e bëri publike komunikimin me kryeministrin e Shqipërisë është një demaskim para opinionit, tregon edhe nivelin e respektit që ka për politikanët shqiptarë, ndonëse Ramës mund ti duket se ka ndonjë konsideratë për të.

Sa i takon vizitës së Merkel në Tiranë, ai thotë se mesazhet e saj nuk kanë asnjë vlerë.

Robelli: Mesazhet e Merkel nuk kanë ndonjë vlerë, edhe disa javë dhe largohet nga posti i kancelares. Në 10 vitet e fundit Gjermani nuk ka pasur asnjë iniciativë për Ballkanin, është shpikur nisma Procesi i Berlinit që në thelb ka arritur të hiqen tarifat e telefonit dhe është hapur një zyrë në Tiranë për shkëmbimet mes të rinjve të rajonit. Nisma nuk ka zbritur në nivelin e emocioneve nacionaliste në shoqëritë e Ballkanit.

Robelli thotë se nuk duhet pasur shumë iluzione, pasi sipas tij procesi i Berlinit është një shpikje gjermane për të ledhatuar vendet e Ballkanit që janë në pritje për hapje të negociatave të BE.

Robelli: Nuk besoj që do të ketë zgjerim të Unionit në 15-20 vitet e ardhshme dhe çfarë ndodh pastaj duhert t'ja lëmë fantazisë.

Edhe Rama ka deklaruar se anëtarësimi do të vijë kur Macron të shkruajë kujtimet e tij.

Robelli: Këto janë batutat e kryeministrit të Shqipërisë që i ka në majë të gjuhës sepse kjo është mënyra më e mirë për të mos u ballafaquar me problemet thelbësore që ka Shqipëria. Shqipëria është në vendet kryesore në BE në kërkesat e fëmijëve për azil.

Sa i takon polemikave të Ramës me politikanët e Kosovës, Robelli thotë se janë të njëanshme dhe sipas tij është shqetësuese se Rama konsideron se vendi mund të integrohet në BE duke bërë aleancë me Vuçiç.

Robelli: Edhe polemikat që zhvillon kryeministri i Shqipërisë me politikanët e Kosovës janë të njëanshme. Publikisht nuk kemi dëgjuar që kryeministri i Kosovës po e ofendon kryeministrin e Shqipërisë. Ai mund të ketë mendime të ndryshme por nuk po e ofendon. Polemikat janë më shumë përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale. Shqetësuese është që kryeministri i Shqipërisë po e konsideron se vendi do të integrohet në BE duke krijuar aleancë me presidentin antieuropian të Serbisë i cili ka qenë pjesë e regjimit që kryeministrin e tanishëm të Kosovës e ka dënuar me 15 vjet burg për shkak se ka përkrahur çlirimin e Kosovës dhe është angazhuar për vlera eurotlantike. Nuk shoh aleancë vlerash mes pushtetarëve në Tiranë dhe Beograd dhe këtë e di dhe opinioni.