Open Ballkan, Osmani: Nëse nuk kemi interes do e shuajmë, koha të bëjmë mbledhjen e përbashkët të qeverive

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Nismën për “Open Balkan” e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në një intervistë ekskluzive, për Ora News,  me gazetaren Matilda Mcini, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është shprehur se kriter për të qenë të suksesshëm në këtë nismë është përfshirja e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai thotë se është një iniciativë, që sipas tij nëse nuk do të jetë e suksesshme do të shuhet.

“Unë kam thënë disa herë, dikush kishte numëruar se në rajon ka disa iniciativa rajonale, tematike, të cilat për qëllim kanë bashkëpunim, disa prej tyre janë më pak të suksesshme dhe madje edhe janë shuar, disa janë në tentativë për të qenë të suksesshme. Për mua kriter për të qenë e suksesshme është gjithëpërfshirja, gjë që nuk e ka për momentin ‘Open Ballkan”, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të tentojmë të dalim me ide të reja, të cilat nëse koha i tregon të suksesshme do bëhen gjithëpërfshirëse, nëse jo do të shuhen. Unë e shoh si një projekt, ku vendet që janë të bindura janë bërë pjesë do e shohin, se a është vlerë e shtuar për rajonin. Këtë iniciativë nuk e shoh si përcaktuese për fatin e rajonit, por një ide shtesë.

Çdo iniciativë që do të eleminojë barrierat, ekonomike do të jetë potencial shtesë. Është një pilot-projekt. Mendoj se është legjitime që vendet të kenë dilema dhe pasiguri, por përderisa është një projekt i tillë, nëse Kosova mendon se është vlerë e shtuar duhet të futet. Mendoj se duhet të shohim vetëm si tentativë. “, u shpreh ai, raporton Ora News. 

I pyetur se nëse Serbia do të përfitojë më shumë në këtë nismë ai tha se po, pasi ka një treg më të unifikuar.  

“Vendet e mëdha që kanë një treg të unifikuar janë ato që përfitojnë më tepër. Nuk ka nevojë për frikë. Duhet të bëhemi bashkë, i gjithë rajoni të jap kontributin e vet për një interes më të madh për të gjitha vendet aty. Nëse do të jemi të gjithë sinqertë do të jetë një iniciativë e suksesshme.”

Më tej ai shtoi se dy qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të bëjnë një mbledhje të përbashkët.

“Ne nuk kemi çështje të hapura me Shqipërinë, kemi raporte të mira, mbështesim njëra-tjetrën, në rrugëtimin evropian, kemi ekonomi të lidhur. Mendoj se mundet edhe më tepër. Krijimin e një infrastrukture ndërlidhëse , projektet ekonomike që do të përmirësojnë jetën e njerëzve në të dyja anët e kufirit, mendoj se nuk duhet të mjaftohemi me ato që kemi. Mendoj se është koha të mbajmë mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive, dhe aty të bëjmë një prerje se ku jemi në implementimin e marrëveshjeve.”/ Ora News/