Ishte vaksinuar me Pfizer, gruaja vdes pas injektimit të vaksinës
Një grua në Zelandën e Re dyshohet se ka ndërruar jetë disa ditë pas vaksinimit me Pfizer. Autoritetet kanë raportuar rastin ndërsa dyshohet se vdekja ka ardhur për shkak të miokarditit, një inflamacion i muskujve të zemrës, që mendohet se shkaktohet nga vaksina.
Zelanda e re ka raportuar atë që besohet si vdekja e parë nga vaksina anti-Covid Pfizer.
Autoritetet njoftuan se bëhet fjalë për një grua, mosha e së cilës ende nuk është bërë e qartë.
Një bord i pavarur i monitorimit të sigurisë së vaksinave tha se vdekja e gruas ishte "ndoshta" për shkak të miokarditit, një inflamacion i muskujve të zemrës.
Ai gjithashtu vuri në dukje se kishte çështje të tjera mjekësore që mund të kishin "ndikuar në rezultatin pas vaksinimit".
“Ky është rasti i parë në Zelandën e Re, ku shënohet një vdekje disa ditë pas vaksinimit me vaksinën Pfizer. Ndërsa Qendra për Monitorimin e Reagimeve Anësore ka marrë raporte të tjera të vdekjeve të personave të vaksinuar kohët e fundit, por asnjë viktimë nuk konsiderohet se ka ndërruar jetë prej vaksinimit,” thuhej në një deklaratë.
Agjencia Evropiane e Barnave ka konsderuar miokarditin si një efekt anësor “shumë të rrallë” të vaksinave Covid të bëra nga Pfizer dhe Moderna, duke shtuar se efektet anësore ishin më të zakonshme tek meshkujt në moshë të re.
Simptomat e miokarditit mund të përfshijnë dhimbje në gjoks, gulçim dhe rrahje jonormale të zemrës.
Ekspertët po i bëjnë thirrje kujtdo që përjeton këto simptoma në ditët pas vaksinimit që të kërkojnë menjëherë kujdes mjekësor.
Mbretëria e Bashkuar raporton 195 raste të miokarditit midis njerëzve që kanë marrë vaksinën Pfizer, me një normë prej rreth pesë rastesh për 1 milion.
Shumica e atyre rasteve kanë çuar në simptoma të lehta.
Megjithatë, EMA u ka bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të vaksinohen, pasi mbrojtja ndihmon që njerëzit të mos sëmuren rëndë me Covid-19.

