Kriza e emigrantëve në Evropë, më shumë se 500 njerëz u shpëtuan jashtë ishullit italian

Anijet e rojeve bregdetare italiane kanë shpëtuar 539 emigrantë nga një varkë peshkimi që po largohej nga ishulli i Lampedusa.

Ky është numri më i madh i të shpëtuarve  të  emigrantëve në ishullin italian në një ditë të vetme, kohët e fundit.

Gratë dhe fëmijët ishin në mesin e atyre që ishin në bord. Disa nga emigrantët, të cilët kishin udhëtuar përtej Detit Mesdhe nga Libia, thuhet se kishin shenja dhune.

Prokurorët italianë kanë hapur një hetim për atë që mund të ketë ndodhur.

Një mjek nga grupi humanitar MSF (Mjekët pa Kufij), Alida Serrachieri, tha se një numër i emigrantëve duket se janë sulmuar fizikisht në Libi, ndërsa prisnin një varkë për t'i transportuar ata në Evropë.

Hetuesit po shikojnë mundësinë që emigrantët të kenë qenë të burgosur në Libi, raportojnë mediet lokale.

Dy anije të rojës bregdetare dhe një varkë doganore nga policia italiane e krimeve financiare, Guardia di Finanza, ndihmuan transportin e emigrantëve në Lampedusa.

Lampedusa është një nga portet kryesore të mbërritjes për emigrantët që duan të arrijnë në Evropë.

Në maj, më shumë se 1.000 emigrantë zbarkuan në ishullin italian në harkun kohor të disa orëve, shkruan BBC.

Ishulli ka një kamp emigrantësh që ishte projektuar fillimisht për të mbajtur më pak se 300 njerëz. Tani ka 5-fishuar kapacitetet. Shumica emigrantëve mbërrijnë nga vendet që nuk kualifikohen për azil. /OraNews/