Paralajmërim për sulm tjetër terrorist, Kabuli në gatishmëri
Trupat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë vënë në gatishmëri të plotë në aeroportin e Kabulit pas sinjaleve për një tjetër sulm terrorist.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka bërë të ditur se nga informacionet e komandatëve të ushtrisë sulmi mund të ndodhë edhe këtë të dielë.
Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të largohen nga zona pranë aeroportit për shkak të “kërcënimit të besueshëm”.
Më 26 gusht, një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivin e tij në afërsi të aeroportit të Kabulit duke vrarë rreth 170 persona.
Dega lokale e grupit militant, Shteti Islamik, që njihet si Shteti Islamik Khorsan (IS-K), mori përgjegjësinë për sulmin.
Në kundërpërgjigje, SHBA-ja kreu sulm me dron në lindje të Afganistanit të premten mbrëma dhe tha se vrau dy anëtarë të lartë të IS-K.
“Sulmi nuk ishte i fundit. Ne do të vazhdojmë të përndjekim çdo person që ka qenë i përfshirë në këtë sulm dhe ata do të paguajnë”, tha Biden përmes një deklarate të shtunën.
Megjithatë Talibanët e kanë dënuar sulmin ajror, duke thënë se amerikanët do të duhej që të konsultoheshin fillimisht me ta, ka thënë një zëdhënës i këtij grupi për agjencinë Reuters.
Sipas Uashingtonit, deri më tani, pothuajse 114.000 persona janë evakuuar nga Kabuli, pasi talibanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan më 15 gusht./OraNews/
