Varianti "Delta" rrit nevojën për shtretër në Kosovë, mbi 16 mijë persona të infektuar për 1 javë

Kosova ka rikthyer masat kufizuese kundër Covid-19 për të frenuar krizën shëndetësore që po kalon prej gati një muaji.

Mbi 16 mijë veta dhe 100 viktima iu shtuan bilancit të pandemisë në harkun e një jave.

Valbon Krasniqi drejton Shërbimin Spitalor Klinik Universitar dhe thotë se situata po shkon në kufijtë e të papërballueshmes.

 “Po detyrohemi që të organizojmë shtretër shtesë, për të shtuar këto kapacitete. Pra, të riorganizojmë në tërësi të gjitha klinikat e QKUK-së dhe gjithë stafin shëndetësor të cilët janë në trajtimin e këtyre pacientëve. Neve na vjen keq që jemi të shtrënguar dhe duhet të pezullojmë disa shërbime, siç janë: shërbimet kirurgjike të natyrave jo emergjente, po ashtu kemi reduktuar edhe shërbimet specialistike ambulantore, diku rreth 50 për qind. Kërkojmë nga qytetarët mirëkuptim, për faktin se jemi të detyruar të shfrytëzojmë shtretërit për pacientët me COVID dhe të prioritizojmë sëmundjet të cilat janë të natyrës urgjente," tha Krasniqi.

Klinikat dhe spitalet e përgjithshme të Kosovës po u shërbejnë mbi 1,100 pacientëve, shifër kjo që kalon pikun e arritur nëntorin e kaluar.

Te infektimet ka ndikuar varianti "Delta" i koronavirusi por edhe lirimi i mëhershëm i masave nga autoritetet.

 “Lirimi i masave gjatë tre muajve të kaluar, relaksimi i tërësishëm i të gjithë neve pa përjashtim, ahengjet, dasmat, lokalet, klubet e natës, ardhja e diasporës, shkuarja e qytetarëve të Kosovës jashtë Kosovës, të gjitha këto kanë ndikuar," tha Krasniqi.

Shumë nga pacientët me Covid të shtruar në spitale nuk janë të vaksinuar.

Mbi 70 për qind e kosovarëve nuk kanë marrë asnjërën dozë dhe Krasniqi apelon që qytetarët të mos u druhen nga teoritë që qarkullojnë rreth vaksinave të Covid-19.

“Pra, edhe vaksina Astra-Zeneca dhe Pfizer të dy llojet që përdoren te ne, nuk janë vaksina që prodhohen nga viruset e gjallë, andaj edhe nuk ka mundësi që njeriu të infektohet gjatë vaksinimit," tha ai.

Mbi 85 për qind e pacientëve me Covid në Kosovë po trajtohen me oksigjenoterapi dhe 5 për qind në kujdes intensiv mjekësor prej komplikacioneve nga varianti "Delta".