Kush është IS-K, grupi terrorist që bombardoi sot SHBA?

Shtete e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot, se kanë vrarë organizatorin e IS-K, një ditë pas sulmit  terrorist  jashtë aeroportit të Kabulit, duke shkaktuar vdekjen e 13 ushtarëve amerikanë dhe dhjetëra civilëve afganë.

Grupi islamik mori përgjegjësinë e sulmit vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, ku kanë humbur jetën rreth 170 persona në total.

Por çfarë do të thotë IS-K?

Termi IS-K del nga emërtimi i provincës Khorasan të Shtetit Islamik.

"Khorasan" i referohet  rajonit historik, që mbulon pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit të sotëm.

IS-K është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Grupi ekstrem u krijua në janar të 2015-ës në Irak dhe Siri, para se kalifati i vetëshpallur të çmontohej nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA.

Sa anëtarë ka IS-K?

Në kulmin e tij grupi ekstremist numëronte rreth 3,000 luftëtarë.

Por me kalimin e kohës ka pësuar humbje, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve me SHBA dhe talibanët.

Çfarë sulmesh kanë kryer IS-K?

IS-K ka vënë në shënjestër forcat afgane të sigurisë, politikanët dhe ministritë afgane, talibanët, pakicat fetare, përfshirë myslimanët dhe shiitët, forcat amerikane,  NATO-n dhe agjencitë ndërkombëtare, përfshirë organizatat e bamirësisë.

IS-K janë fajësuar për disa nga mizoritë më të këqija në vitet e fundit, duke sulmuar shkollat ​​e vajzave, spitalet  madje edhe një maternitet, ku thuhet se kanë qëlluar për vdekje gratë shtatzëna dhe infermieret.

Ndryshe nga talibanët, interesi i të cilëve është i kufizuar në Afganistan, IS-K janë pjesë e rrjetit global të IS dhe kërkojnë të kryejnë sulme ndaj objektivave perëndimorë, ndërkombëtarë dhe humanitarë.

Pse IS-K paraqet një sfidë për talibanët?

IS-K i konsideron militantët talibanë "apostatë", duke legjitimuar vrasjen e tyre, sipas interpretimit që ata i bëjnë  ligjit islam.

Militantët e Shtetit Islamik tani përfaqësojnë një sfidë të madhe për sigurinë për qeverinë e ardhshme talibane, diçka që lidershipi i talibanëve e ndan me agjencitë e inteligjencës perëndimore.