"Nuk ka rrugë tjetër, do më vrasin" Afganët të dëshpëruar kërkojnë shpëtim

Marrja e shpejtë nën kontroll e Afganistanit nga ana e talibanëve, ka krijuar frikë dhe pasiguri për jetën e qytetarëve afganë, që kërkojnë të arratisen nga vendi, me çdo mënyrë.

Grupi militant islamik thuhet se po kryen kontrolle derë më derë ndërsa skena të dhunshme janë raportuar gjithashtu në disa pika kontrolli të kontrolluara nga talibanët.

Militantët morën kontrollin e qyteteve të mëdha javën e kaluar si pjesë e një ofensivë gjithëpërfshirëse, që tronditi mbarë botën.

Tashmë, të gjithë ata që kanë punuar për qeverinë  që u rrëzua ose për perëndimin, si dhe gazetarë dhe aktivistë, thuhet se kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve  dhe duhet të evakuohen.

Ata kanë folur për BBC, por emrat e tyre janë ndryshuar për arsye sigurie.

Usman, i cili punonte si përkthyes për forcat e armatosura britanike, ishte strehuar me gruan e tij dhe disa fqinjë kur erdhën talibanët. Ai u zgjua në orët e para të mëngjesit dhe i tha grupit që ishin afër.

"Ata po kërkonin derë më derë," tha ai.

"Të gjithë i kapi paniku. Një fqinj tha se ata po kërkonin armë, dokumente dhe automjete qeveritare. Talibanët po përpiqeshin të zbulonin se kush kishte punuar për NATO -n apo qeverinë."

"Unë vesha rrobat e mia dhe thjesht u hodha mbi një mur dhe ika", tha Usman. "E di që do më vrasin. Nuk ka rrugë tjetër."

Usmanit iu tha se kishte të drejtë të zhvendosej në MB në dhjetor, por pasi të gjitha dokumentet e tij u përpunuan, ai mori një letër refuzimi.

"Ne nuk ndihemi të sigurt," tha ai. "Jam  i dëshpëruar."