Takimi i lamtumirës në Kremlin, Putin e mirëpriti me lule, Merkel kërkon vazhdimin e dialogut
Presidenti rus Vladimir Putin u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel në Moskë.
Në fillim të bisedës me kancelaren gjermane në Kremlin, Putin shprehu besimin se vizita e saj në Moskë nuk do të ishte vetëm lamtumire, por edhe domethënëse për sa i përket përmbajtjes.
"Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme me telefon, por ka shumë çështje që duhet të diskutohen ballë për ballë. Jam i sigurt se kjo nuk do të jetë vetëm vizita juaj e lamtumirës pas së cilës vendosët të mos kandidoni për një mandat të ri, por edhe një vizitë e mbushur me përmbajtje serioze të punës," i tha Putin Merkel.
Ai theksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Rusisë në Evropë dhe botë.
Kancelarja vendosi një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur dhe kujtoi sulmin e Gjermanisë hitleriane kundër Bashkimit Sovjetik 80 vjet më parë.
Pas takimit Merkeli tha se kishte rënë dakord me Putinin për të bërë përpjekje për të arritur përparime për Ukrainën javët e ardhshme. Ajo tha se dëshiron të rigjallërojë bisedimet, ku për momentin ka stanjacion.
Sipas agjencive të lajmeve ajo kërkoi nga Putini lirimin e kritikut të tij, Aleksander Navalny. Putini tha se Navalnyn nuk qe dënuar për aktivitetin e tij politik.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se kishte përshtypjen se udhëheqja ukrainase kishte vendosur kundër një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në Ukrainën Lindore.
Ekziston një temë veçanërisht me të cilën Angela Merkel do të donte të merrej, thonë vëzhguesit: ajo dëshiron të sigurojë që Rusia të vazhdojë të kalojë gaz përmes Ukrainës në Bashkimin Evropian në të ardhmen, edhe kur të përfundojë gazsjellësi "Nord Stream 2".
Ky është takimi i parë midis Putin dhe Merkel që nga fillimi i pandemisë në dhjetor 2019.

