Që fëmijët tuaj të kenë dhëmbë të shëndetshëm, këshilla të vyera
Që në moshë të rritur të keni dhëmbë të shëndetshëm dhe një buzëqeshje të bukur kujdesi i gojës nis që në vogli.
Stomatologia Alma Myrto ishte në studion e “Ditë e Re” në RTV Ora për të dhënë disa këshilla të vlefshme.
Kur nis higjiena e dhëmbëve?
Higjiena nis që me daljen e dhëmbit të parë, në moshën 5 – 6 muajsh. Nëse nuk keni kujdes për dhëmbët e qumështit, mjedisi që do të dalë dhëmbi i ri do të jetë një mjedis me acid që krijon kushtet e nevojshme për kariesin.
Si?
Marrim një garzë të njomur me solucion fiziologjik, dhe me gishtin tregues bëjmë pastrimin i gojës dhe të dhëmbëve të parë që mund të kenë dalur. Në këtë mënyrë eliminojmë mbetjet e sheqernat ushqimore që marrin foshnjat nga ushqimi.
Kur bëhet vizita e parë tek dentisti?
Vizita e parë që duhet bërë tek dentisti është në moshën 1 vjeçare. Kontrollet duhet të jenë periodike. Paraqitja tek dentisti duhet të bëhet një herë në 6 muaj, pasi duhet të realizohet kontrolli i nofullave, dhëmbëve që kanë dalë dhe hapësirave. Duhet diagnostikuar problemi në kohën e duhur.
Furçimi
Dhëmbët duhen larë në mëngjes dhe në darkë përpara gjumit.
Furçimi i dhëmbëve të fëmijëve nuk duhet neglizhuar në asnjë moment. Fillimisht duhet të bëhet nga prindërit deri në një moshë më të rritur kur fëmijët të jenë të ndërgjegjësuar.
Për fëmijët në vaktet e zemrës duhen shmangur ushqimet me sheqerna. Preferohen të jepen fruta si karota të cilat ndihmojnë dhe në forcimin e dhëmbëve dhe zhvillimin e nofullës.
Është i këshillueshëm përdorimi i fluorit në darkë, por më përpara konsulotuni me dentistin tuaj.
A mund ta shmangim furçimin?
Jo. As lëngjet për shpëlarjen e gojës dhe as çamçakëzat nuk zëvendësojnë furçimin.
Emisioni “Ditë e Re” me moderator Arjola Shehun e Arjon Muçën vjen çdo ditë në RTV Ora nga e hëna në të premte.