Laporta jep arsyet: Nuk mund të hipotekoj Barçën për 50 vjet për Leo Messin

Në një konferencë për shtyp të jashtëzakonshme, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur me Messin, negociatat dhe pengesat nga La Liga për të lejuar depozitimin e kontratës mes klubit dhe lojtarit.

Ajo që bie në sy është barra e madhe financiare që kishte kontrata e Messit dhe për ta bërë të mundshme duhej që klubi të mbetej peng si hipotekim për gjysmë shekulli

“Jam këtu për të shpjeguar atë që ndodhi me Leo Messin. Para së gjithash, dua të them se kemi marrë një trashëgimi të keqe dhe fatura e buxhetit të pagave përfaqëson 110% të të ardhurave të klubit.

Ne nuk kemi më hapësira për paga të lojtarëve, rregullat që qeverisin La Ligan vendosin disa kufizime dhe ne nuk kemi asnjë hapësirë për të manovruar. Ne e dinim këtë që kur mbërritëm në klub, numrat që morëm pas parashikimeve të para të auditimit janë shumë më të këqija sesa ato që na ishin thënë dhe ato që kishim parashikuar e kjo ka çuar në humbje dhe borxhe shumë më të larta gjithashtu.

Poll

Ne kemi kontrata aktuale dhe një faturë tepër të lartë të pagave të lojtarëve që nuk na lejojnë të kemi një mundësi financiare për të gjitha pagat.

Ne nuk mund t'i përshtateshim kontratës së parë të Leo Messit, të cilën do ta shpjegoj në detaje. Për të arritur këtë 'fair -play', Barça duhej të ishte në favor të një kontrate që ishte një hipotekë për klubin për gjysmë shekulli, për të drejtat televizive. Unë nuk jam i gatshëm të hipotekoj të drejtat e klubit për askënd. Ne kemi një institucion që është mbi të gjitha, edhe mbi lojtarin më të mirë në botë. Ne gjithmonë do t'i jemi mirënjohës atij ".

 

Në konferencën e tij, presidenti i klubit katalanas e pranon se është shumë i trishtuar e njëkohësisht vuri në dukje se dëshira e madhe e Messit ishte vetëm Barcelona teksa shtoi se nuk mund të krijojë iluzione e të premtojë se mund të ketë diçka që mund ta kthejë lojtarin në “Camp Nou’.

“Messi dëshironte të qëndronte, edhe ne gjithashtu dhe kështu bëmë të dyja palët duke u përpjekur të arrinim një akord por La Liga nuk u tregua fleksibël. Messi ka propozime të tjera nga disa klube, është lojtari më i mirë në botë dhe unë e falenderoj atë për gatishmërinë e treguar në negociata.

Ka ardhur momenti kur ju duhet të ngriheni në këmbë, duke lënë mënjanë emocionet dhe të mendohet me ftohtësinë e numrave. Leo meriton gjithçka, ai është një njeri që ka treguar vlerësimin e tij për Barçën dhe gatishmërinë e tij për të qëndruar.

Jam i trishtuar, por jam i bindur se kam bërë më të mirën për Barcelonën. Nuk dua të krijoj shpresa të rreme dhe iluzione, Messi ka oferta të tjera dhe kampionati nis së shpejti dhe janë disa afate që e bëjnë të pamundur. Messi e ka bërë gjithçka të lehtë në bisedimet tona, ai pranoi të firmoste një kontratë 5 vjeçare ku do të paguhej në 5 vite paga e dy viteve por La Liga nuk na lejoi teksa në disa vende të tjera funksionon kështu.

Për t'ju dhënë një ide se si është kufiri i pagës me të cilin mund të përballemi, ka të bëjë me rregullin 4 me 1. Për të pasur një buxhet me 25 milionë euro rroga duhet të lirojmë 100 mln Euro. Kemi shumë lojtarë dhe drejtuesit po punojnë për të ulur faturën e pagave dhe ka disa lojtarë me të cilët kemi arritur marrëveshje, por me të tjerët nuk është aq e lehtë. Largimi i Messit është një ditë trishtimi por nuk ndihem absolutisht fajtor pasi kemi bërë më të mirën dhe arritëm te akordi në kontratë e në fund nuk mund ta depozitonim”, deklaroi numri 1 i klubit katalanas në konferencën për shtyp. Siç kuptohet nga fjalët e tij, Messi ka oferta të tjera në tavolinë dhe shanset që situata të rikthehet në favor të Barcelonës janë pothuajse zero.