Laçi e ka të pamundur, Anderlecht fiton 3-0 dhe hipotekon kualifikimin
Në “Elbasan Arena” vuloset edhe fundi i aventurës europiane e Laçit. Një aventurë tepër e suksesshme me dy ture të kaluara, me rivalë të vështirë por në raundin e tretë të Conference League, rivalët janë më të forte dhe nuk mund të rivalizohet në nivele të tilla.
Ekipi i Shpëtim Duros u mund 3-0 nga Anderlechti në duelin e parë, një takim që tregon edhe deri ku mund të shkojnë ekipet shqiptare të cilët me rivalë të tillë nuk mund të konkurrojnë.
Ndeshja nisi me 3 minuta me vonesë për shkak të problemeve të vogla me ndriçimin në “Elbasan Arena” por gjithçka u rregullua dhe menjëherë ishin belgët që tentuan të shënonin teksa ia arritën në 26’ me Delcroix ndërsa në 42’ dyfishuan me Hoedt.
Rastet për Laçin janë të pakta, ka tentativa por nuk arrijnë të rrezikojnë portën e Anderlechtit të cilët në pjesën e dytë me Refaelov vulosën edhe ndeshjen me golin e tretë.
Gjithsesi, ndeshja e dytë do të jetë vetëm formalitet teksa për Laçin kjo aventurë quhet e suksesshme madje dhe për arkat e klubit pasi ka arkëtuar më shumë se 500 mijë Euro.

