Prishtina shkëlqen në “Fadil Vokrri”, mposht 2-1 kampionët e Norvegjisë
Prishtina vijon të mahnisë në Conference League. Në rrugëtimin e saj në Europë, kampionët e Kosovës kanë mundur 2-1 në ndeshjen e parë të raundit të tretë eliminator, një ekip tejet të vështirë dhe të forte si Bodo Glimt. Këta të fundit vinin si superfavoritët e ndeshjes por Prishtina bëri një paraqitje të jashtëzakonshme përballë tifozëve të saj duke përmbysur ndeshjen që nisi me avantazhin e ekipit norvegjez që në minutën e 11’ me anë të Berg.
Bodo pati disa raste të tjera për të shënuar në këtë pjesë por Prishtina shfrytëzoi më së miri një gabim fatal të portierit Haikin dhe Otto John arriti të barazonte rezultatin në 42’.
Pjesa e dytë ishte shumë e kujdesshme nga të dyja ekipet që kërkonin më shumë të mos pësonin por në minutën e 82’, Prishtina përmbys gjithçka kur Lode shënon një autogol duke i dhënë avantazhin ekipit kosovar.
Prishtina me vuajtje e menaxhon mjaft mirë avantazhin dhe arrin ta mbyllë sfidën me një fitore historike 2-1 ndaj një ekip jashtëzakonisht të forte si Bodo Glimt, që janë edhe kampionët në fuqi të Norvegjisë. Ndeshja tjetër pas një jave do të jetë një betejë e madhe për Prishtinën që po guxon shumë dhe do të bëhej ekipi i parë në historinë e futbollit kosovar që do të arrinte një faze playoff në kompeticionet europiane.

