Si sardele në temperatura përvëluese, kapet furgoni me 12 sirianë, udhëtonte drejt Kosovës

12 sirianë ishin 'paketuar' në këtë furgon mallrash ndërsa temperaturat i kanë kaluar 40 Gradë Celcius ditët e fundit.

Në pranga  ra shtetasi E. Q., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili po transportonte  emigrantët e  paligjshëm. 

"Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Policisë, në afërsi të "Rrethrrotullimit të Orikumit", duke transportuar me automjetin tip "Benz", 12 emigrantë të paligjshëm (sirianë), kundrejt shpërblimit monetar, drejt qytetit të Tiranës, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian".  

Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.