Eliminimi i Kelmendit në Tokyo 2020, Osmani: Për ne mbetesh kampione e përhershme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me eliminimin e xhudistes Majlinda Kelmendi nga Lojërat Olimpike në Tokyo.

Osmani shkruan se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme, pasi i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, duke ndriçuar emrin e Kosovës para krejt botës.

Osmani shton se ajo çfarë ke bërë Kelmendi për Kosovën tejkalon çdo medalje, duke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.

Osmani: Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin. Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.

Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndrrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave. Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë. Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!