Biden: Brenda pak muajve do të fillojë vaksinimi për fëmijët nën 12 vjeç
Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur se së shpejti vaksinat anti-COVID do të përshtaten për të përfshirë edhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare.
Sipas tij ky do të jetë një hap tepër i rëndësishme për luftën kundër Covid-19.
Këtë deklaratë, Presidenti i SHBA e ka bërë gjatë një bashkëbisedim me qytetarët në Cincinnati. Aktualisht fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk rekomandohet të vaksinohen me asnjë prej dozave të kompanive të miratuara.
“Nuk po na japin datë ekzakte, por pritshmëria ime duke folur me shkencëtarët është se në muajt në vazhdim me fillimin e vitit shkollor në gusht, ose ndoshta në shtator, tetor ne do të marrim aprovimin final për të filluar vaksinimin e fëmijëve.”- tha presidenti Biden.
Më tej ai tha se ekziston mundësia që të gjithë fëmijët nën 12 vjeç të mbajnë maska në shkolla, nëse nuk vaksinohen.
“Me gjasa kjo ka për të ndodhur. Ata mbi moshën 12 vjeç do të mund të vaksinohen dhe nëse vaksinohesh, nuk është e nevojshme që të mbash maskë, por nëse nuk vaksinohesh duhet të mbahet maska”- ka shtuar Biden.
Ndërkohë për ata që nuk pranojnë të vaksinohen, Biden u shpreh se janë në rrezik.
“Ne kemi një pandemi në duar dhe ata që nuk vaksinohet janë rrezik. Nëse vaksinohesh, nuk shkon në spital, nuk shkon në njësinë e kujdesit intensiv dhe nuk ke për të vdekur. Duhet të sillemi si amerikanë që duan t’ia dinë për bashkëqytetarët tanë”- tha ai.

