Kompanitë "Pfizer/BioNTech" sugjerojnë marrjen e tri dozave të vaksinës anticovid

Kompanitë "Pfizer" dhe "BioNTech" që prodhojnë vaksinat antikovid sugjerojnë marrjen e tri dozave për të rritur me 5 deri 10-fish sasinë e antitrupave kundër koronavirusit të ri.

Vaksina amerikano-gjermane ka rezultuar rreth 95 % efikase në parandalimin e sëmundjes infektive, por studimet e fundit në Izrael zbuluan se efikasiteti i saj mund të zbresë në 64 për qind përballë nënllojeve të reja të virusit që po qarkullojnë, si varianti "Delta".

Sipas Mikael Dolstenit, kryeshkencëtarit të "Pfizer-it", ulja e antitrupave dhe rreziku prej riinfektimit është brenda pritshmërive, prandaj do të rekomandohet që personat të marrin një dozë të tretë 6 ose 12 muaj pas dy të parave, për ta forcuar dukshëm imunitetin e tyre.

Sipas Dolstenit, shumë vende europiane e kanë pyetur kompaninë për dozën e tretë, për ta aplikuar atë kryesisht te më të moshuarit.

"Pfizer" pret të prodhojë 3 miliardë vaksina gjithsej këtë vit dhe parashikon të ardhura rreth 26 miliardë dollarë.

Deri në vitin 2025 kompanitë biofarmaceutike planifikojnë të shesin mbi 150 miliardë dollarë vaksina kundër covidit-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkohë, ka thënë se nuk është e qartë sa mbrojtje mund të ofrojë një dozë shtesë ndaj virusit korona.