“Johnson” shkakton çrregullime neurologjike?

Zyrtarët amerikanë kanë identifikuar të paktën 100 raste të personave me çrregullime neurologjike, pas aplikimit të vaksinës kundër Covid 19, Johnson & Johnson. Ky është një çrregullim i rrallë, që ka ngritur alarmin për përdorimin e vaksinës, aq shumë të debatuar në SHBA.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) paralajmëron për një "rrezik në rritje" të zhvillimit të sindromës Guillain-Barré, një çrregullim i rrallë neurologjik i lidhur me vaksinën Johnson & Johnson.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë identifikuar 100 raste të raportuara të njerëzve me këtë syndrome nga gati 12.5 milion doza të kësaj vaksine, e cila aplikohet vetëm një herë.

Nga këto 100 raste, në 95 forma e sëmundjes ishte e rëndë dhe këta individë kishin nevojë për shtrim në spital. Një prej pacientëve humbi jetën.

Sindroma Guillain-Barré është një sëmundje e rrallë neurologjike në të cilën sistemi imunitar i trupit sulmon nervat, duke bërë që pacienti të paralizohet dhe të mpiket - zakonisht në duar dhe këmbë.

Në raste të rënda, muskujt e frymëmarrjes nuk punojnë si duhet. Kjo sëmundje prek midis 3,000 dhe 6,000 njerëz çdo vit në Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi i FDA-së ishte një goditje tjetër për vaksinën Johnson & Johnson (J&J), e cila mori një licencë emergjence në SHBA në shkurt dhe u pezullua për dhjetë ditë në prill, pas raporteve të rasteve të grave që pas vaksinimit patën mpiksje të gjakut, e kombinuar me numër të ulët të trombociteve.

Zyrtarët shëndetësorë më në fund kanë vendosur që përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet.