Izolimi rriti numrin e personave me problemeve mendore
Numri i personave me çrregullime mendore është rritur në krahasim me një vit më parë. Për ekspertët me rëndësi është mjekimi i këtyre rasteve, ndërkohë që pandemia dhe izolimi duket se kanë ndikuar në rritjen e këtyre rasteve.
Numri i personave me probleme të shëndetit mendor është rritur në krahasim me një vit më parë.
Sipas psikiatres, Ariana Rreli, shkak për këtë situatë janë një sërë faktorësh, ndërkohë që një tjetër aspekt me rëndësi është edhe kurimi.
"Kur humbet kritika e gjendjes për sëmundjen ky person bëhet potencialisht i rrezikshëm për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të tilla probleme të jenë në fokus të vëmendjes së familjarëve apo të rrethit të tij shoqëror."
Për doktoreshë Irena Thomon, pandemia ka pasur ndikim direkt në rritjen e numrit të personave me probleme të shëndetit mendor.
"Nuk janë bërë studime për këtë por në perceptim kemi konstatuar që pacientë me probleme akute psikiatrike në periudhën e pandemisë ishin më të shprehura sesa në këtë periudhë."
Ekspertët e fushës thonë se kjo kategori personash duhen trajtuar me kujdes e madje vëmendja ndaj tyre duhet të vazhdojë edhe pas shtrimit në spital.
"Është shumë e rëndësishme kontakti me psikiatrin e zonës për të ndjekur në dinamikë dhe hap pas hapi rekuperimin pasi një mjekim i mirë çon gjithmonë në një ndërgjegjësim të personit."
"Ka disa lloj ecurish nëse nuk mjekohen, në rastin më të mirë të mundshëm ato mund të vetëshërohen, të kalojnë. Ka dhe raste të tjera më të rënda që nëse nuk mjekohen kanë ecuri progresive me përkeqësime të vazhdueshme."
Sipas studiuesve të dëmtuar nga çrregullimet mendore nuk janë vetëm personat e prekur direkt, por edhe të afërmit e tyre pasi efektet janë zinxhir.

