Shtohen sëmundjet e zemrës tek të rinjtë, faktorët që ndikojnë dhe këshillat e kardiologëve

Rastet e sëmundjeve të zemrës po përfshijnë edhe të rinjtë. Kardiologu Anesti Kondili tregon se sëmundja nuk po kursen tani dhe 30 vjeçarët.

"E veçanta është se kanë filluar të preken dhe moshat më të reja. Përpara ishte mbi 50-60 vjeç, tani janë dhe 30 vjeçarë të sëmurë me zemër, të cilët janë si pasojë e faktorëve të rrezikut të cilët janë të përhapur në të gjithë jetën sociale të vendeve," tha kardiologu.

Kondili, ndër faktorët e rrezikshëm të sëmundshmërisë rendit,duhanin, kequshqyerjen, obezitetin duke mos harruar dhe stresin.

"I pari fare është duhani dhe janë çrregullimet e metabolizmit të yndyrnave që janë në plan të parë. Pastaj janë dhe shumë faktorë të tjerë si prania e hipertensionit, prania e diabetit dhe gjithë faktorëve që janë faktorë rreziku për sëmundjen koronare. Është zhvillimi i jetës me stres, me mënyrën e  të ushqyerit dhe një sërë faktorësh të tjerë," tha mjeku.

Një jetë aktive me aktivitete sportive dhe një ushqyerje e shëndetshme janë disa nga këshillat e kardiologut.

"Larg duhanit, larg ushqyerjes së tepruar, larg obezitetit, marrja me sport sa më shumë dhe ushqyerja sa më e mirë," tha kardiologu.