Legjenda Van Basten kritikon Holandën, nuk e kursen as De Ligt
Nëse në dy ndeshje Holanda ka bërë paraqitje të mira duke marrë 6 pikë të plota, ka edhe nga ata që shfaqen kritikë ndaj tulipanëve, madje nga një legjendë si Marko Van Basten.
Sipas ish bomberit të Milanit dhe të kombëtares, Holanda nuk bën ende një futboll dominues siç i ka hije dhe kjo duket sipas tij në një aspekt.
“Nëse shikojmë sesa herë Stekelenburg duhet të gjuajë topin, nuk duket asgjë pozitive dhe kështu duket si një lojë lufte. Nga pas duhet të kesh më shumë vizion dhe kontroll të lojës duke avancuar me lojë të bukur dhe qarkullim. Kështu mund të dominosh ndeshjen dhe unë ende nuk e kam parë”.
Analizës kritike të Van Basten për lojën e ndërtuar nga De Beor nuk i shpëtojnë as disa individë dhe shënjestra e ish sulmuesit është Matthijs De Ligt, nga i cili ai priste më shumë por e kryqëzon duke e akuzuar se nuk ka mësuar ende asgjë te Juventusi.
“Ai është një mbrojtës qëndror dhe duhet të transmetojë më shumë lidership. Ai duhet ta bëjë veten të dëgjohet, të tregojë vlerat e tij sepse duhet të drejtojë mbrojtjen. Por në vend të kësaj ai thjesht vrapon pas një lojtari, duke lënë vrimë të madhe. De Ligt shkoi në Itali për të mësuar se si të mbrojë, por mendoj nuk e ka bërë një gjë të tillë” përfundoi legjenda e përfaqësueses holandeze, Marco Van Basten.
