Makthi i udhëtimit me urban në Tiranë, qytetarët: Kondicionerët nuk ndizen, ajri tejet i ndotur
Rritja e çmimit të biletës së urbaneve nuk është reflektuar në përmirësimin e shërbimit. 3 vjet nga aplikimi i çmimit 40 lekë, qytetarët ankohen ende për vonesat e gjata dhe papastërtitë. Shqetësimi më kryesor mbetet ajri i kondicionuar, të cilët nuk hapen ose nuk funksionojnë si duhet edhe pse temperaturat janë tejet të larta.
Transporti publik është një zgjedhje e detyruar për mijëra banorë të kryeqytetit, por të udhëtosh me urban përgjatë ditëve të nxehta të verës është sfilitëse.
Problemet nisin me pritjet e gjata në disa linja dhe dyndjet.
Por shqetësimet më kryesore mbeten mos funksionimi si duhet i kondicionerëve si dhe papastërtitë.
Madje në shumë prej linjave dritaret qëndrojnë hapur për ti shpëtuar ajrit mbytës që sjell temperatura e lartë.
"Të merret fryma në autobus, të bie të fikët, nuk ke ku të ulesh."
"Kondicionerët i ndezin dhe fikin shoferët sipas qejfit të tyre."
"I mbushin autobusët sa njerëzit janë ngjitur shpinë për shpinë dhe bark për bark."
Shqetësim përbën dhe mosrespektimi i orareve.
"Vonohen shumë, Uzina e Traktorit është shumë keq."
"Linjën e Senatoriumit kam 1 orë që e pres këtu në stacion.Linja më skandaloze."
Pikërisht këto probleme janë objekt i inspektimeve të Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.
Specialisti i transportit, Estref Agalliu, thotë se vetëm brenda muajit qershor janë vendosur mbi 130 gjoba.
Agalliu: Vlera e gjobave është e vogël nga 2-5 mijë lekë të reja.Këto gjoba përkthehen në pikë pasi në bashkinë e madhe ka një komision, i cili merret me problemin e shqyrtimit të gjobave. Kur arrihet numri maksimal i pikëve sipas gjobave, atëherë ky komision ka të drejtë të çojë deri në heqjen e licencës operatorit.
Nisur nga problemet e panumërta, qytetarët thonë se shërbimi i ofruar nuk e justifikon rritjen e çmimit.
Çmimi i biletës së transportit publik u rrit me 10 lekë në fillim të vitit 2016.
Atë kohë Bashkia pranoi kërkesën e operatorëve privatë, të cilët premtuan një shërbim cilësor.
Por edhe pas tre vitesh situata shfaqet tejet e rëndë.