Protestat në Kolumbi/ Ndërhyn ushtria, 60 të vrarë për një muaj
Kolumbia ka mobilizuar ushtrinë për të vënë nën kontroll një valë protestash antiqeveritare që kanë lënë gati 60 të vrarë në një muaj.
Rrugët e Kalit qenë të qeta në fundjavë, por ishte në këtë qytet të madh me 2,2 milion banorë ku të premten u vranë 13 veta.
"Megjithatë, nuk e përcaktojmë dot nëse vdekjet e 28 majit lidhen me protestat," tha kryebashkiaku i Kalit.
Protestat në Kolumbi nisën më 28 prill kur qeveria propozoi rritje taksash për të kompensuar klasën e mesme prej pandemisë.
Ndërsa pati tërheqje të qeverisë për reformën fiskale, protestat tani janë intensifikuar për të denoncuar dhunën policore, varfërinë dhe krizën shëndetësore si pasojë e koronavirusit.
"Nuk do lodhemi së protestuari sepse jam këtu për studentët e mi. Dua një jetë më të mirë për ta dhe vajzën time. Nuk do jemi më të padukshëm për shtetin," tha mësuesja Maria Villada.
"Duam të punojmë me dinjitet, duam garanci prej qeverisë për ne dhe për të rinjtë," tha Antony Velasquez, banues në Bogota.
Teksa dha urdhrin për shtimin e patrullave ushtarake presidenti kolumbian, Ivan Duke, kërkoi t'u jepet fund vandalizmave dhe asaj që ai e quajti terrorizëm urban, që sipas tij po e sponsorizojnë grupet e armatosura disidente.
