Shpëtojnë jetë duke rrezikuar veten, ja sfidat që përballen çdo ditë zjarrfikësit
Ata shpëtojnë jetë duke vënë në rrezik jetën e tyre. Mes zjarrit dhe tymit në temperatura përvëluese dhe në mungesë të oksigjenit atyre u duhet të frymojnë dhe të durojnë në emër të jetës.
Si një nga profesionet më të vështira, e për fat të keq në Shqipëri edhe pa mjetet e nevojshme
këta punonjës meritojnë titullin heronj.
Në ditën ndërkombëtare të zjarrfikësve, Ilir Xhanari prej 24 vitesh si komisar zjarrfikës thotë se pasioni nuk i ka munguar asnjëherë.
Me apo pa pajisje, e mundur apo jo, këta punonjës nuk kanë limite për punën e tyre.
"Shërbimi zjarrfikës është shtuar në rang republike, pra nuk pret një fshat të vijë zjarrfikësja nga Elbasani, por ka zjarrfikësen e Belshit. Njëkohësisht edhe infrastruktura është rregulluar goxha mirë," thotë ai.
Në 24 vite punë vatrat e zjarrit e kanë vendosur edhe përballë pengjeve të ndërgjegjjes në rastet kur nuk kanë mundur të shpëtojnë dot jetë njerëzish, por fatmirësisht të shumta kanë qenë historitë që kanë mbaruar me fund të lumtur.
"Duhet të jetë edhe komandanti në ballë. Në qoftë se ai e shikon që drejtuesi i tij i bën bisht zjarrit, nuk është i trajnuar, nuk i menaxhon mirë, atëherë nuk do kesh rezultate. Por, në qoftë se ti punon gjatë gjithë kohës, i trajnon ata gjithë kohës," shprehet Xhanari.
Pavarësisht orës, aktiviteteve apo angazhimeve, një alarm zjarri vë në gatishmëri çdo punonjës që mban veshur uniformën e zjarrfikësit dhe puna, sakrifica e rreziku fillojnë nga e para në një cikël të ri në shpëtim të jetës.
