Parada e Artë, Faraonët e Mumifikuar transferohen në shtëpinë e re në Kairo

Muzeu i ri Kombëtar i Qytetërimit Egjiptian pas hapjes plotësisht për publikun ka pritur me dhjetëra vizitorë, pas zhvendosjes aty të 22 faraonëve të mumifikuar, në atë që u cilësua parada më tërheqëse në vendin që vizitohet çdo vit nga miliona turistë.

Bashkë me mumjet e 22 faraonëve ishte edhe mbretëresha antike më e fuqishme e Egjiptit.

"Quhet muze i civilizimit sepse gjëja më e rëndësishme këtu është koncepti i civilizimit, jo një kohë apo epokë specifike. Çdo vitrinë tregon një histori ose një koncept të ndryshëm të civilizimit. Ne lidhim të gjitha civilizimet këtu" -tha Asmaa Said, kuratore në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian.

Mumiet hynë në mjediset e muzeut të ri pas një përshëndetje me 21 armë, në një udhëtim rreth gjysmë ore, të quajtur "Parada e Artë e Faraonëve".

"Ne patëm fatin të shihnim nga afër ceremoni për muzeun e ri këtu në Kajro në Egjipt, kështu që ne sot erdhëm për të parë muzeun e ri dhe ishte e jashtëzakonshme të shihnim të gjithë historinë e Egjiptit këtu", u shpreh një turiste franceze.

Seqenenre Tao II, "Trimi", i cili mbretëroi mbi Egjiptin jugor rreth 1,600 vjet para Krishtit, pas tij Ramses IX, i cili mbretëroi në shekullin e 12-të para Krishtit, Mbretëresha Hatshepsut, që konsiderohet si faraoni më i fuqishëm femër, janë zhvendosur në këtë Muze.

Të stolisura me emrin e sovranit të tyre të caktuar, karrocat me ngjyrë ari dhe të zezë ishin të pajisura me amortizues për udhëtimin, për të siguruar që a asnjë nga ngarkesat e çmuara të mos shqetësohej aksidentalisht në rrugët e Kajros.

Siguria ishte e rreptë në kryeqytet: Autoritetet mbyllën rrugët kryesore dhe kryqëzimet gjatë gjithë rrugës për automjetet që lëvizin ngadalë.