Bashkia Durrës i përgjigjet PD-së: Fondet e rindërtimit kanë filluar në 2020, s'kanë lidhje me zgjedhjet

Bashkia e Durrësit ka reaguar në lidhje me denoncimin e Partisë Demokratike, e cila ka akuzuar mazhorancën se përdori dhjetëra miliona euro fonde publike për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti.

PD  nga ana e saj vuri në dispozicion dokumentet ku duken disa nga të dhënat e thesarit të shtetit për pagesat e bëra tre ditë, para zgjedhjeve parlamentare për rindërtimin dhe bonusin e qirave, në shumën 40 milionë euro.

Ndërkohë, bashkia e Durrësit shprehet se ky proces ka filluar qysh në vitin 2020 dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor.

"Nëpër medie të ndryshme është përhapur një lajm sipas të cilit Bashkia e Durrësit ka shpërndarë grantin e rikonstruksionit për familjet e prekura nga tërmeti, në muajt mars dhe prill dhe se këto paskan qenë lekë për vota. Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se procesi i shpërndarjes së grantit për rikonstruksion ka nisur që në fillim të vitit 2020 dhe është kryer sipas të gjitha procedurave të përcaktuara me VKM si dhe të miratuara në këshillin bashkiak me transparencë të plotë, pasi këto vendime janë të publikuara të gjitha në faqen zyrtare të bashkisë, ndërkohë që procesi vijon edhe këtë vit."

Sipas bashkisë, dhënia e këtij granti familjeve të Durrësit që do të rregullojnë shtëpitë e tyre është një nga etapat e procesit të rindërtimit që po ecën pa ndërprerje.

"Dhënia e këtij granti familjeve të Durrësit që do të rregullojnë shtëpitë e tyre është një nga etapat e procesit të rindërtimit i cili përfshin edhe dhënien e bonusit të qirave, rindërtimin e pallateve dhe banesave individuale, rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve, rindërtimin e shkollave e kopshteve, riforcimin për pallatet me shkallë dëmi DS4. I gjithë procesi i rindërtimit ka nisur në dhjetor 2019 dhe vijon pa ndërprerje edhe tani. Të gjitha proceset e tjera të rindërtimit nuk kanë të bëjnë fare me zgjedhjet apo me votat por ka të bëjë me strehimin sa më të shpejtë të familjeve të mbetura pa shtëpi."

Bashkia hedh edhe akuza politike opozitës, ku thekson se opozita me lajme të tilla duket sikur do që që të ndërpritej procesi i rindërtimit dhe familjet durrsake të vazhdonin të qëndronin jashtë.

"Mos vallë opozita apo ata që shkruajnë lajme të tilla dëshironin që katër muajt e parë të vitit 2021 të ndërpritej procesi i rindërtimit dhe familjet durrsake të vazhdonin të qëndronin jashtë sepse qenka fushata dhe zgjedhjet?! Gjithashtu në lajm thuhet se në 2021 janë shpërndarë grant rikonstruksioni për 4294 familje, por nuk thuhet (pa dashje apo me dashje) se sa janë familjet që kanë përfituar këtë grant në vitin 2020."

Bashkia e Durrësit përfundon duke shtuar se kërkon të sigurojë të gjithë qytetarët se procesi i rindërtimit vijon me ritme të shpejta dhe nuk ndërpritet nga balta që hedhin ata që kalojnë nga humbja në humbje.