Grabitën qentë e Lady Gaga-s, arrestohen 5 persona
Pesë persona, pjesë e grupit që rrëmbyen dy qentë e këngëtares Lady Gaga dhe plagosën kujdestarin e tyre, janë vënë në pranga nga policia e Los Anxhelosit.
Mes tyre ishte edhe gruaja që i ktheu bulldogët francezë Lady Gagas. Hetuesit nuk besojnë se grabitësit e dinin se qentë i përkisnin yllit të popit.
Ata thanë se motivi për grabitjen ishte vlera e bulldogëve francezë që mund të shkojë në mijëra dollarë.
Qentë, Koji dhe Gustav u kthyen dy ditë më vonë në një stacion policie nga një grua, e cila fillimisht dukej se ishte "e papërfshirë" me krimin, tha fillimisht policia.
Ajo është 50-vjeçarja Jennifer McBride, por nuk është e qartë nëse gruaja ka marrë shpërblimin prej 500 mijë dollarë që Gaga ofroi për këdo që ia kthente qentë. Policia dyshoi që nga fillimi dhe e këshilloi këngëtaren të mos paguante shpërblimin e premtuar.
Autoritetet sqaruan se të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti njerëzish që grabisin qen dhe kërkojnë shpërblime.
Ata tashmë do të përballen në gjyq me akuzën e vrasjes dhe grabitjes.
Ndërkohë, kujdestari i qenve të këngëtares, Ryan Fischer, që kishte dalë shëtitje me qentë në Los Angeles më 24 shkurt, kur u qëllua në kraharor nga dy burra të armatosur, tashmë është rekuperuar. Ndërsa, këngëtarja Lady Gaga aktualisht ndodhet në Romë duke punuar për filmin e saj më të ri.
