Plot 27 kallëzime në prokurori për krime zgjedhore nga data 23 - 26 prill 2021
Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një bilanc të hetimeve për krimet zgjedhore në kompetencë të institucioneve të hetimit me juridiksion të përgjithshëm.
Sipas njoftimit, në periudhën 23.04.2021 – 26.04.2021 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë raportuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mbi veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Konkretisht në këtë hark kohor, janë evidentuar dy kallëzime për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, dy padi për “shkelje të fshehtësisë së votimit”, tri raste për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, tetë denoncime për përdorim të funksionit publik” dhe një rast për “Pengim të zgjedhësit”.
Prokuroria bën të ditur se në këtë hark kohor ka marrë edhe shtatë denoncime për veprën “Shpërdorim detyre ne lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet” dhe një kallëzim për “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Organi qendror i akuzës bën të ditur se nga referimet në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për veprat e sipërcituara rezulton se janë regjistruar 8 procedime penale, 18 materiale kallëzuese janë në fazën e verifikimit paraprak dhe 6 materiale kallëzuese i janë transferuar SPAK –ut për kompetencë lëndore.
Prokuroria e posaçme ka bërë ditur në datën 23 prill se në këtë institucion janë paraqitur 91 materiale kallëzuese, konkretisht 55 padi, ku detajohen 50 raste nga PD, tri nga LSI, një nga PS dhe një nga FRD.
Policia gjyqësore ka referuar në SPAK 10 raste, Presidenti i Republikës 18 raste, si dhe katër kallëzime nga qytetarët. Për të gjitha denoncimet në lidhje me krimet zgjedhore, SPAK ka njoftuar se ka regjistruar 32 procedime penale për të cilat vazhdon hetimi, ka vendosur mosfillim hetimi për 7 raste, ka kthyer 15 raste për verifikim në polici, ndërkohë që 23 dosje janë dërguar për kompetencë prokurorive të rretheve si dhe 14 procedime që janë në proces verifikimi.
Shifrat
Për veprën penale, “Pengimi i subjekteve zgjedhjore” ka 2 kallëzime ardhur me transferim,
Për veprën penale, “Shkelja e fshehtësisë së votimit” ka 2 kallëzime regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” ka 3 kallëzime regjistruar kryesisht dhe 1 material kallëzues ardhur me transferim;
Për veprën penale, "Përdorimi i funksionit publik” la 11 kallëzime regjistruar kryesisht si dhe 8 materiale kallëzuese të ardhura me transferim;
Për veprën penale, “Pengimi i zgjedhësit” ka 1 kallëzime regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, “Shpërdorim detyre ne lidhje me aktet ligjore per zgjedhjet” ka 7 kallëzime regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” ka 1 kallëzim ardhur me transferim.

