Tropojë/ Dhunuan kundërshtarin politik, arrestohet njëri prej vëllezërve, 2 të tjerë në kërkim
Policia e Tropojës ka vënë në pranga shtetasin Gj. Gj., 62 vjeç si dhe ka shpallur në kërkim dy vëllerëzit e tij.
Nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 0489, e cila ndodhet në shkollën e fshatit Lekbibaj, është kërkuar ndërhyrja e Policisë për një konflikt në ambientet e shkollës.
Sipas njoftimit të bluve, këta shtetas kërcënuan me armë zjarri dhe goditën me sende të forta një shtetas, si dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se e shtetasi Gj. Gj., përfaqësues i një subjekti politik, së bashku me vëllezërit e tij shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj., kanë kërcënuar me armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe goditur me sende të forta shtetasin A. N., përfaqësues i një subjekti tjetër politik.
Gjithashtu, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dëmtuar dhe shkatërruar pronën e kësaj shkolle, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit Gj. Gj., 62 vjeç, banues në Lekbibaj, për veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Shkatërrimi i pronës", " Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak", “Kanosja" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik".
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. Gj. dhe M. Gj. dhe po punohet për kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë Tropojë, për veprime të mëtejshme.

