Merkel pyetet për skandalin "Wirecard"

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka mohuar të ketë pasur interesa të fshehtë në skandalin "Wirecard" që e ndjek pas qeverinë e saj.

Të premten, kancelarja u paraqit para komisionit parlamentar që po heton mbi ish-kompaninë gjermane "Wirecard", tashmë të falimentuar.

Merkel akuzohet se loboi për firmën që merrej me shërbimet financiare dhe pagesat jo vetëm nëpërmjet bankave, edhe kur dihej që ajo mashtronte me bilancet.

Në shtator të vitit 2019 kancelarja udhëtoi në Pekin për t'u interesuar që kompania gjermane të blinte një kompani tjetër kineze e cila operonte brenda sektorit.

Bisedimet i zhvilloi edhe me presidentin e Kinës, Xi Jinping

"Wirecard nuk mori trajtim preferencial dhe është normale që qeveria të promovojë interesat e biznesit gjerman në takimet dypalëshe. Atëkohë nuk kishte arsye të diheshin parregullsitë e rënda që kishte kompania," u tha të premten Merkel anëtarëve të komisionit hetimor.

Kompania "Wirecard" ishte në bursën gjermane kur qershorin e kaluar shpalli falimentin pasi në llogaritë e saj mungonin 1,9 miliardë euro.

 

Ish-drejtuesit e kompanisë u arrestuan për falsifikim të dhënave dhe manipulim të tregut.

Të enjten komisionit hetimor iu drejtua edhe ministri gjerman i financave, ndërsa kancelarja Merkel ka thënë se ajo mban përgjegjësi për gabimet dhe do të propozojë reforma për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla.